#Lajme

Avokati i Thaçit kundërshton kufizimet e vizitave: Tentativë për zhvendosje të vëmendjes nga mbrojtja

Avokati Ardian Bajraktari e ka cilësuar të paqëndrueshëm vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për kufizimin e vizitave ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se nuk ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët, pasi dëgjimi i tyre tashmë ka përfunduar.

“Sot nuk mund të flitet për ndonjë ndikim, sepse lista e dëshmitarëve të prokurorisë është e mbyllur. Kemi të bëjmë me një akuzë të paqenë, duke qenë se Thaçi tash e pesë vjet ndodhet në paraburgim dhe elementet e veprës penale nuk qëndrojnë”, tha Bajraktari.

Ai e interpreton këtë lëvizje të Prokurorisë Speciale si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga procesi i shtatorit, ku sipas tij, rolin përcaktues do ta ketë mbrojtja.

“Janë masa të panevojshme, të cilat krijojnë vetëm spektakël mediatik. Madje, edhe rregullorja e Dhomave kërkon leje paraprake për vizita, prandaj rreziku është i pakuptimtë”, theksoi avokati.

Bajraktari mirëpriti faktin që gjykata nuk e ka miratuar kufizimin për vizitat e vëllezërve të Thaçit, duke e cilësuar vendim të drejtë, sidomos pas gjendjes emocionale të tij pas humbjes së babait.

Sipas tij, dëshmitarët që pritet të dëgjohen janë jashtëzakonisht kredibilë dhe do të kundërshtojnë me sukses pretendimet e prokurorisë, duke vënë në pah rolin dhe kontributin e Thaçit dhe të bashkëluftëtarëve të tij.