#Lajme

AUV: Sasia prej 35,170 kg peshk me krimba është bllokuar dhe po përgatitet për asgjësim

Pas denoncimeve për praninë e krimbave dhe parazitëve në peshkun e ngrirë që shitet në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar se sasia prej 35,170 kilogramësh e peshkut të infektuar është e bllokuar dhe po përgatitet për asgjësim. Në përputhje me vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë (Aktvendimi Nr. 2025:134825), AUV dhe kompania përkatëse po ndërmarrin masa për të garantuar sigurinë shëndetësore të konsumatorëve dhe për të respektuar standardet ndërkombëtare.

AUV thekson se kjo sasi nuk është vënë në qarkullim dhe se do të njoftojë publikun pas përfundimit të procesit të asgjësimit.

Në hulumtimin e bërë më parë u zbuluan parazitë të llojit Anisakis Simplex në shumicën e mostrave të peshkut të importuar. Megjithëse gjykata urdhëroi asgjësimin dhe ndalimin e shpërndarjes së peshkut të infektuar, disa kompani kërkuan lejimin për ta shitur, duke pretenduar se nuk përbënte rrezik për shëndetin.

Skandali ka ngritur shqetësime për dështimin institucional dhe mungesën e veprimeve nga nivelet e larta të Ministrisë së Bujqësisë, duke përfshirë edhe ministrin Faton Peci. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj konsumit të peshkut të kontaminuar, që përbën një rrezik serioz për shëndetin publik në Kosovë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *