AUV: Peshku i ngrirë i sigurt për konsum, paraziti Anisakis nuk paraqet rrezik
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se prania e parazitit Anisakis simplex në peshqit e ngrirë nuk përbën rrezik për shëndetin publik. Sipas AUV-së, ngrirja në temperatura të ulëta ua shkatërron aftësinë parazitëve për të shkaktuar sëmundje, ndërsa gatimi mbi 60°C siguron eliminimin e çdo rreziku të mundshëm.
Në komunikatë theksohet se peshku i ngrirë që gjendet në treg është i sigurt për konsum, pasi parazitët që mund të shfaqen janë një dukuri e njohur ndërkombëtarisht dhe trajtimi i produktit gjatë ngrirjes garanton sigurinë ushqimore.
Megjithatë, AUV paralajmëron për kujdes në rastin e konsumimit të peshkut të freskët, i cili nuk ka kaluar procesin e ngrirjes apo trajtimit me nxehtësi. Rreziku mund të paraqitet sidomos te përgatitjet si sushi, sashimi apo “crudo”, ndaj sipas ligjeve në fuqi dhe praktikave ndërkombëtare, ky lloj peshku duhet të jetë i ngrirë më parë.
AUV bën të ditur se standardet e sigurisë ushqimore në Kosovë janë të harmonizuara me direktivat e Bashkimit Evropian dhe bazohen në rekomandimet e organizatave ndërkombëtare si EFSA dhe FAO. Nëse respektohen këto udhëzime, peshku i ngrirë mbetet produkt i sigurt për konsum.











