AUV ndalon dhe nis asgjësimin e qumështit për foshnje “Nidina Optipro 1” pas alarmit nga RASFF
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se, pas një sinjalizimi të pranuar nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), ka identifikuar prani të substancës Cereulide në formulën e qumështit për foshnje “Nestlé – Nidina Optipro 1” (600 gram).
Sipas AUV-së, bëhet fjalë për lotin me numër 52860346BB, me origjinë nga Holanda, i importuar në Kosovë nga kompania Nestlé Nederland BV. Pas këtij njoftimi, autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për bllokimin e produktit në treg.
AUV ka bërë të ditur se, pas përfundimit të procedurave të nevojshme, do të nisë edhe procesi i asgjësimit të produktit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Agjencia thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me synimin që konsumatorëve në Republikën e Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm.










