#Lajme

AUV heq ndalesën e importit nga Maqedonia e Veriut pas eliminimit të “Gjuhës së Kaltër”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka hequr kufizimet për import nga Republika e Maqedonisë së Veriut, pasi sëmundja “Gjuha e Kaltër” nuk është më e pranishme në këtë shtet.

Sipas AUV-së, vendimi bazohet në raportet zyrtare të sistemeve ndërkombëtare ADIS dhe WAHIS, të cilat konfirmojnë eliminimin e sëmundjes nga territori i Maqedonisë së Veriut. Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë Nr. 2004/21, tashmë lejohet importi i kafshëve të gjalla të llojeve gjedhë, dele dhe dhi, si dhe importi i produkteve, nënprodukteve dhe materialit gjenetik nga i gjithë territori i këtij shteti.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë. AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës shëndetësore veterinare dhe informimin e rregullt të publikut, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore.