AUV bllokon produktin për foshnje “Beba Supreme” pas njoftimit nga autoritetet shqiptare

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bllokuar menjëherë nga tregu i Kosovës produktin për foshnje “Beba Supreme” 800 gram, pas një njoftimi zyrtar të pranuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) i Shqipërisë.
Sipas AUV-së, produkti në fjalë është i importuar nga kompania Rossmann Kosova, ndërsa pas verifikimeve përkatëse është marrë vendim për bllokimin e tij të menjëhershëm. Autoritetet kanë bërë të ditur se produkti do të asgjësohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
AUV ka theksuar se ky veprim është ndërmarrë si masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik, veçanërisht të kategorive më të ndjeshme si foshnjat. Institucioni riafirmon përkushtimin e tij për garantimin e sigurisë ushqimore dhe për monitorimin e vazhdueshëm të produkteve që qarkullojnë në tregun e Kosovës.
Agjencia u bën thirrje konsumatorëve që të shmangin përdorimin e këtij produkti dhe të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente në rast se e kanë blerë atë.








