#Sport

Arsenali siguron të ardhmen e Bukayo Sakës, rinovon kontratën deri në vitin 2031

Bukayo Saka do të vazhdojë të jetë pjesë e Arsenalit edhe për shumë vite të tjera. Sipas gazetarit të “The Athletic”, David Ornstein, klubi londinez ka arritur marrëveshje me yllin anglez për një kontratë të re pesëvjeçare, e cila e mban atë në “Emirates Stadium” deri në vitin 2031.

Kontrata aktuale e Sakës do të përfundonte pas 18 muajsh, por drejtuesit e Arsenalit kanë vepruar shpejt për të shmangur çdo rrezik largimi të një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës. Marrëveshja e re konfirmon rolin kyç të 24-vjeçarit në projektin e Mikel Artetës dhe statusin e tij si një nga figurat kryesore si në Arsenal, ashtu edhe në përfaqësuesen e Anglisë.

Saka ka qenë vendimtar edhe në sezonin aktual, ku në 27 ndeshje në të gjitha garat ka realizuar shtatë gola dhe ka dhënë katër asistime, duke konfirmuar rëndësinë e tij në lojën e “Topçinjve”.

Pas rinovimit të William Salibas, Arsenali vazhdon të sigurojë boshtin e skuadrës, ndërsa klubi mbetet i fokusuar edhe në rinovimin e kontratave të lojtarëve të tjerë kyç të formacionit bazë të Artetës.

Aktualisht, Arsenali kryeson garën për titull në Ligën Premier me 49 pikë, gjashtë më shumë se Manchester City, duke u konsideruar favorit për ta fituar kampionatin.