Arrestohet prokurori në Prizren, dyshohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare
Një prokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren është arrestuar mëngjesin e sotëm gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se bëhet fjalë për prokurorin B. Sh., i cili ushtron detyrën në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie.
Sipas informacioneve të para, ai dyshohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Arrestimit të tij i ka paraprirë një bastisje në banesë, ku janë sekuestruar materiale dhe prova që lidhen me rastin.
Hetimet ndaj tij kanë qenë në zhvillim prej disa kohësh, nën masa të fshehta hetimore, në koordinim të ngushtë mes Policisë dhe Prokurorisë Speciale.
Aktualisht, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit, ndërsa pritet që gjatë ditës të publikohen më shumë detaje lidhur me masat që do të ndërmerren ndaj prokurorit të arrestuar.











