Arrestohet një 36-vjeçar në Gjakovë për dhunë ndaj të dashurës
Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar të premten pasdite në fshatin Bec të Gjakovës, ku një grua rreth 27-vjeçare ka denoncuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj, me të cilin kishte një lidhje jashtëmartesore.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, e reja ka deklaruar se i dyshuari, 36-vjeçari A.A., e ka goditur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Viktima ka refuzuar ndihmën mjekësore dhe strehimin në qendrën për viktimat e dhunës, duke zgjedhur të strehohet përkohësisht në shtëpinë e prindërve.
Pas raportimit, Policia ka ndërhyrë dhe e ka arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të avokatit të tij. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është nën hetime për veprën penale “Dhunë në familje”.











