Arrestohet në flagrancë një zyrtar publik i dyshuar për marrje ryshfeti
Policia e Kosovës ka arrestuar në flagrancë një zyrtar të gjendjes civile, i dyshuar për marrje ryshfeti. Operacioni është realizuar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente.
Sipas autoriteteve, zyrtari dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar para në këmbim të një shërbimi zyrtar. Arrestimi është kryer në momentin e pranimit të shumës së dyshuar si ryshfet, ndërsa gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar prova materiale të rëndësishme.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë. Rasti është cilësuar si “Marrje e ryshfetit” dhe është duke u trajtuar sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë.











