Arrestohet 20-vjeçari që sulmoi sigurimin e “Zone Club” dhe hodhi koktej molotovi
Policia e Kosovës ka vënë në pranga një 20-vjeçar të shpallur në kërkim pas një incidenti të rëndë të ndodhur më 28 korrik 2025 në diskotekën “Zone Club” në Prishtinë. Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Ylli Osmanin, i cili rreth orës 03:00, pas një mosmarrëveshjeje, kishte sulmuar sigurimin e lokalit, Shkëlzen Imerajn, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Osmani më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por një orë më vonë ishte kthyer dhe kishte hedhur një koktej molotovi në hyrje të lokalit, duke rrezikuar jetën e personave të pranishëm dhe duke shkaktuar dëme materiale, pa raportime për të lënduar të tjerë.
Pas disa muajsh arrati, më 14 shtator 2025, ai u arrestua nga njësitet e Stacionit Policor Qendra dhe, pas intervistimit në prani të prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje për 48 orë.










