Arrestohen shtatë persona në Podujevë, dyshohet për veprimtari me substanca narkotike
Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në fshatin Shtedim të Podujevës, ku janë arrestuar shtatë persona, të gjithë shtetas të Republikës së Shqipërisë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme me substanca narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar rreth orës 12:00 nga njësitë e hetimeve të Stacionit Policor në Podujevë, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit.
Gjatë kontrollit në një shtëpi në këtë fshat, policia ka arrestuar pesë femra dhe dy meshkuj, të identifikuar me inicialet A.T., D.K., M.B., S.L., R.P., N.H. dhe L.G.. Në vendngjarje është gjetur një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike si dhe aparaturë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike.
Në operacion kanë asistuar edhe njësitë intervenuese, ndërsa pas arrestimit janë angazhuar zyrtarë të njësisë antidrogë. Hetimet për rastin po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.













