#Kosova #Lajme

Arrestohen 13 persona për bixhoz të paligjshëm në Isniq të Deçanit

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka realizuar një aksion në fshatin Isniq të Deçanit, ku ka arrestuar në flagrancë 13 persona nën dyshimin për përfshirje në bixhoz të paligjshëm dhe organizim skemash piramidale.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë bastisjes janë sekuestruar rreth 17 mijë euro para të gatshme, një armë zjarri, shufra metalike, thika dhe prova të tjera materiale që lidhen me rastin.

Të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa pritet që ndaj tyre të kërkohen masa sigurie sipas Kodit të Procedurës Penale. Hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së dyshuar do të vazhdojnë në ditët në vijim.