#Sport

Arbeloa: Kundërsulmet do të jenë arma jonë, Vinicius dhe Mbappé janë më të mirët në botë

Trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, ka theksuar se kundërsulmet do të jenë një nga pikat kryesore të skuadrës këtë sezon, duke u bazuar në karakteristikat natyrore të lojtarëve. “Nuk mund të shkoj kundër natyrës së futbollistëve; kemi shumë lojtarë dominues në hapësirë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë”, u shpreh ai në konferencë për shtyp.

Arbeloa vlerësoi lart angazhimin dhe përkushtimin e ekipit pas fitores në një transfertë të vështirë, duke e cilësuar suksesin si “fitore kolektive”. Ai shmangu krahasimet fizike me periudhën e Xabi Alonsos, por nuk kurseu elozhet për yjet e skuadrës: “Vinicius dhe Mbappé janë dy futbollistët më të mirë në botë”.

Sa i përket Viniciusit, trajneri theksoi se braziliani po kalon një formë shumë të mirë dhe se skuadra duhet ta shfrytëzojë maksimalisht në situata një kundër një. Arbeloa shtoi se ekipi ka ende shumë hapësirë për përmirësim dhe se ky nivel nuk është tavani i Real Madridit.