Arbeloa i jep mbështetje Brahim Diazit: Mezi po presim ta përqafojmë
Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, i ka shprehur mbështetje të fuqishme Brahim Diazit pas finales së Kupës së Afrikës, ku Maroku u mposht nga Senegali.
Diaz ishte një nga figurat më të përfolura të finales, pasi humbi një penallti në minutat e fundit të ndeshjes, çka ndikoi në humbjen e kombëtares së tij. Megjithatë, Arbeloa vlerësoi lart kontributin e lojtarit gjatë gjithë turneut.
“Brahim Diaz ka zhvilluar një Kupë Afrike të jashtëzakonshme. Falë paraqitjeve të tij, Maroku arriti deri në finale,” u shpreh Arbeloa, duke shtuar se skuadra e Real Madridit mezi po e pret rikthimin e tij.
Sipas trajnerit madrilen, Diaz përshtatet shumë mirë me stilin e lojës së ekipit dhe ka aftësi të luajë në disa pozicione. “Të gjithë shokët e skuadrës janë të gatshëm ta përqafojnë. Kjo frymë dhe dashuri mes tyre më jep shumë besim për të ardhmen,” theksoi ai.
Ndërkohë, Real Madridi shënoi një fitore bindëse mbrëmë në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Monacon me rezultat 6:1.










