#Kosova #Lajme

APK: 78 kallëzime penale për mosdeklarim pasurie, mbi 100 gjoba për vonesa

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se gjatë verifikimit të deklarimeve të pasurisë janë zbuluar mbi 78 raste me dallime të mëdha, të cilat janë dërguar në Prokurori për procedim penal. Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se zyrtarët e përfshirë janë ballafaquar me gjetjet dhe kanë pasur mundësi të justifikojnë pasurinë me dokumente zyrtare, por mungesa e arsyetimit të besueshëm në shumë raste ka çuar në kallëzime penale.

Rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë janë dërguar në Prokurorinë Speciale, e cila do të hetojë edhe ligjshmërinë e përfitimit të pasurisë dhe mundësinë e fshehjes së saj. Sipas Buleshkajt, qëllimi është që çdo shkelje ligjore të përfundojë me aktakuzë dhe dënim të merituar, si mënyra më e mirë për të parandaluar korrupsionin.

Përveç rasteve të kallëzimeve penale, APK ka shqiptuar mbi 100 gjoba ndaj zyrtarëve që kanë vonuar deklarimin e pasurisë. Po ashtu, priten edhe mbi 20 kallëzime të tjera penale për zyrtarë që, pavarësisht gjobës, nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor. Buleshkaj theksoi se vendimet meritore të gjyqësorit janë çelësi për rritjen e vetëdijes dhe integritetit në shërbimin publik.