Apeli shqyrton ankesën e Millosh Plleskoviqit të dënuar për krime lufte në Prizren
Në Gjykatën e Apelit ka nisur seanca për shqyrtimin e ankesës ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e Millosh Plleskoviqit, i dënuar për krime lufte të kryera në zonën e Prizrenit.
Më 31 korrik 2025, Gjykata Themelore e shpalli Plleskoviqin fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim për vrasjen e tre civilëve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë luftës në Kosovë. Vendimi u mor nga gjykatësi Rrahman Beqiri.
Plleskoviqi kishte qenë në paraburgim gjatë gjithë procesit gjyqësor. Sipas aktakuzës, ai, së bashku me një grup serbësh të armatosur, kishte hapur zjarr me armë automatike të tipit “kallashnikov” në Prizren, ku si pasojë u vranë R.D., B.D. dhe F.B., ndërsa Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati mbetën të plagosur, por i mbijetuan sulmit.











