#Lajme

Anëtari i KQZ-së denoncon parregullsi në Shtime: Dyshohet për “Trenin Bullgar” dhe fletëvotim fals

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, ka ngritur shqetësime për parregullsi të dyshuara në vendvotimin 2207/01 në fshatin Belinc të Komunës së Shtimes.

Sipas tij, në këtë vendvotim janë evidentuar elemente që mund të përbëjnë shkelje serioze të procesit zgjedhor, përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si “Treni Bullgar”, si dhe gjetjen e një fletëvotimi fals, ndërsa mungon origjinali.

Gashi ka kërkuar që organet kompetente të ndërmarrin hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm, duke theksuar se nëse këto dyshime vërtetohen, rasti nuk duhet të mbetet pa pasoja ligjore, pasi çdo cenim i vullnetit të qytetarëve rrezikon integritetin e procesit demokratik në vend.