AME publikon raport të përditësuar për vërshimet në vend
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka dhënë një raport të përditësuar për situatën e vërshimeve në nivel vendi, duke njoftuar se gjendja paraqitet kryesisht stabile dhe e menaxhueshme. Pas rënies së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, është vërejtur rënie graduale e nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj, pa humbje jete dhe pa indikacione për përshkallëzim të situatës.
Sipas raportit, disa rajone kanë përjetuar vërshime të izoluar:
Prishtina: rruga “Rifat Berisha” (Kodra e Diellit), Hajvali – rruga “Brigada 153”; Lipjan – Smallush; Shtime – Shtime–Reçak; Graçanicë – Motel “Villa Hilton” dhe rruga te Prishtina Mall. Mitrovica: evakuim i një familjeje në kompleksin “Amina”; ndërhyrje urgjente për pompë thithëse në Termocentralin Kosova A. Gjilan: vërshim në rrugën e Kufcës. Malishevë dhe Dragash: disa intervenime për rrugë të bllokuara nga uji. Pejë: segmente me ujë në rrugë, kërkohet kujdes i shtuar; pjesa tjetër e rajonit stabile.
Në pjesën tjetër të vendit, situata mbetet e qetë dhe pa kërkesa urgjente për ndërhyrje. AME thekson se të gjitha intervenimet janë realizuar nga NJPZSH, DSHPE dhe kompanitë e kontraktuara nga komunat, ndërsa strukturat e emergjencës mbeten në gatishmëri 24/7 për monitorim dhe reagim të menjëhershëm.











