#Kosova #Lajme

Ambasadori gjerman: Zgjidhja e trafikut në Vushtrri më e rëndësishme se ndërtimi i dy urave në Ibër

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se në këtë kohë do të ishte më e vlefshme të zgjidheshin problemet e trafikut në hyrje të Vushtrrisë, sesa të ndërtoheshin dy ura të reja mbi lumin Ibër.

Ai theksoi se klima politike dhe e sigurisë në veri nuk është e përshtatshme për projekte të tilla, duke shtuar se “e fundit që duan të shohin qytetarët është më shumë veprime të KFOR-it në veri”.

“Do të ishte më e rëndësishme të lehtësohej qarkullimi i përditshëm në hyrje të Vushtrrisë, sesa të ndërtoheshin ura shtesë. Nëse nuk është momenti i duhur për të hapur një urë, a është i duhuri për dy?”, u shpreh Rohde.

Ai foli edhe për vizitën e drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, duke thënë se mesazhi kryesor i saj ishte që Kosova duhet të zgjidhë krizën politike dhe të themelojë institucionet.

Sipas tij, mungesa e një qeverie funksionale dhe e kuvendit për gjashtë muaj është në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve dhe pengon krijimin e një partneriteti të vërtetë me aleatët.