#Lajme

Ambasadori gjerman: KFOR-i mbetet shtyllë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka zhvilluar një vizitë në selinë e KFOR-it, ku është pritur nga komandanti i këtij misioni, gjeneralmajori Oezkan Ulutash.

Gjatë takimit, Rudolph ka theksuar rëndësinë e KFOR-it si një shtyllë kyçe e sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit të ambasadës gjermane, ai ka shprehur mirënjohje për punën dhe përkushtimin e trupave të KFOR-it në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Gjatë vizitës, ambasadori është takuar edhe me komandantin e kontingjentit gjerman brenda KFOR-it, kolonel Muller, i cili e ka njoftuar më gjerësisht për kontributin dhe angazhimin e ushtarëve gjermanë në kuadër të këtij misioni ndërkombëtar të sigurisë.