#Lajme

Ambasada Gjermane: Kosova nuk mund të humbasë më kohë, i duhet urgjentisht qeveri funksionale

Bashkimi Evropian po i ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë, sidomos ngërçin institucional të shkaktuar nga mosformimi i qeverisë dhe institucioneve të reja, situatë që e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të caktuara për 28 dhjetor.

Në prag të zgjedhjeve, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka deklaruar se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri stabile dhe plotësisht funksionale. “Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri që funksionon plotësisht si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Vendi nuk mund të përballojë të humbasë më shumë kohë. Siç theksoi ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, gjatë vizitës së tij në Prishtinë muajin e kaluar, formimi i një qeverie stabile është me rëndësi jetike. Evropa po e vëzhgon këtë nga afër,” është theksuar në reagimin e ambasadës.

Mungesa e institucioneve funksionale po krijon një situatë të brishtë politike dhe institucionale, e cila po reflektohet drejtpërdrejt në proceset e brendshme dhe në pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Zyrtarë të SHBA-së dhe BE-së kanë paralajmëruar se çdo vonesë në krijimin e qeverisë dëmton jo vetëm imazhin e vendit, por edhe aftësinë për marrjen e vendimeve strategjike, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe përparimin në procesin e integrimit evropian.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *