#Lajme

Alternativa garon e vetme në gjashtë komuna në zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se kjo parti do të marrë pjesë e vetme në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke garuar në gjashtë komuna të vendit.

Në një konferencë për media, ajo tha se Alternativa do të ketë lista për kuvende komunale në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut. Sipas saj, në tri prej këtyre komunave partia do të garojë edhe me kandidatë për kryetarë komune.

Ajo bëri të ditur se janë duke punuar që të shtrihen edhe në komunat e Gjilanit dhe Ferizajt, ndërsa njoftoi se të enjten do të hapet zyra e Alternativës në Mitrovicë.

Kusari-Lila theksoi se në Mitrovicën e Jugut Alternativa do të mbështesë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, për kryetar të komunës, njëjtë siç mbështesin edhe Qeverinë për veprimet në veri të vendit.

Ajo shtoi se partia është në fazën e përgatitjes së programit qeverisës.