Aksioni “Pishina” në Ferizaj – Arrestohet një 36-vjeçar për drogë dhe armë
Një operacion policor i koduar “Pishina”, i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, ka rezultuar me sekuestrimin e substancave narkotike, armëve dhe municionit në pronësi të një 36-vjeçari nga ky qytet.
Më 5 shtator 2025, me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Policia ka kryer një kontroll në shtëpinë, objektet përcjellëse, veturat dhe një vilë që i përkisnin B.M., 36 vjeç. Gjatë këtij aksioni janë zbuluar prova që lidhen me drogë dhe armë të paautorizuara.
Në kohën e bastisjes, i dyshuari nuk ishte i pranishëm në vendngjarje, ndaj Policia i ka lënë një ftesë për t’u paraqitur në zyrat e DHTN në Ferizaj.
Më 8 shtator, B.M. është paraqitur në polici i shoqëruar nga avokati i tij. Në prani të tij është kontrolluar edhe vetura e tipit Audi A3, e sekuestruar gjatë bastisjes, por nuk janë gjetur prova shtesë.
Pas intervistimit, dhe me autorizim të Prokurorit të rastit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Hetimet ndaj tij janë duke vazhduar për veprat penale: blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.











