Aksion policor në veri: Sekuestrohen armë, municion dhe mjete ilegale
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri të vendit, ku gjatë kontrollit të një shtëpie të braktisur në lagjen Bërxhane të Mitrovicës së Veriut janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion si dhe mjete të tjera ilegale.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veri, gjatë aksionit janë zbuluar karikatorë të zbrazët për armë të gjata dhe bajoneta, shishe plastike me saqme, kapsula për fishekë dhe sasi baruti, si dhe pjesë për mbushjen e fishekëve. Po ashtu, janë gjetur fishekë të armëve të gjuetisë dhe të kalibrave të ndryshëm, pajisje dhe veshje ushtarake, përfshirë xhaketa, doreza ushtarake dhe këmisha të Policisë së Serbisë, si dhe targa automjetesh të ish-milicisë.
Në vendngjarje është zbuluar edhe një minë kundër këmbësorik me detonator. Për shkak të rrezikshmërisë së materialeve, ka ndërhyrë Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME), e cila ka larguar sasinë e barutit, fishekët e kalibrave 12.7 mm dhe 20 mm, si dhe minën me detonator.
Rasti është raportuar Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurave penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim dhe ka bërë thirrje që çdo informacion i dobishëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike të raportohet në numrin emergjent 192.








