Aksion i përbashkët i Doganës dhe Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në Leposaviq
Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, zhvilluan një aksion të përbashkët në rajonin e Leposaviqit, pas marrjes së një informate operative për një automjet që dyshohej se transportonte mallra të kontrabanduara pa dokumentacion përcjellës.
Rasti i parë:
Gjatë patrullimit, njësitë hasën një automjet të braktisur në një rrugë anësore, i cili ishte i hapur dhe pa shofer. Brenda tij u gjetën thasë plastikë dhe një sasi e madhe çokollatash të markave Snickers dhe Kinder, të mbuluara me letër kartoni. Automjeti, që ishte pothuajse i mbushur plot me mall, u transportua në Terminalin Doganor të Mitrovicës.
Rasti i dytë:
Njësitë ndaluan një automjet tjetër që po transportonte pako me produkte ushqimore, pije joalkoolike dhe artikuj higjienikë, për të cilat shoferi nuk posedonte dokumentacion ligjor. Edhe ky automjet u dërgua në Terminalin Doganor të Mitrovicës për inventarizim të mallit.
Dogana e Kosovës bëri të ditur se aksionet e përbashkëta me Policinë do të vazhdojnë, me qëllim parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e ekonomisë së ligjshme të vendit.












