#Lajme

Aksident i rëndë trafiku në Rrugën e Kombit, dy të lënduara

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Milot–Morinë, e njohur si “Rruga e Kombit”, ku janë përfshirë disa automjete.

Sipas njoftimit të Policisë Shqiptare, si pasojë e përplasjes janë lënduar dy gra: drejtuesja e njërit prej automjeteve, me inicialet F.T., si dhe pasagjerja N.T. Të lënduarat janë transportuar menjëherë në spital për trajtim mjekësor dhe, sipas të dhënave paraprake, gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:40, ndërkohë që grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në aksident.