Aksident detar në Greqi, dyshohet për kosovarë në mesin e të lënduarve
Një aksident detar ka ndodhur mesditën e së martës, më 5 gusht 2025, në afërsi të zonës shkëmbore të Diaporosit në Halkidiki të Greqisë, ku një skaf i marrë me qira është përplasur, duke shkaktuar lëndime te disa persona.
Sipas mediave greke, në bord ndodheshin shtatë persona – gjashtë prej tyre shtetas të Kosovës dhe një amerikan. Nga aksidenti u lënduan tre persona, të cilët u transportuan fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Agios Nikolaos dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm të Poligyros. Pas marrjes së trajtimit mjekësor, të lënduarit janë liruar nga spitali.
Skafi u përmbys pas goditjes, por është tërhequr në breg pa rrezik të mëtejshëm. Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.











