#Lajme

AKK kërkon shtyrjen e afatit për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i ka dërguar një kërkesë ministrit në detyrë të Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, për shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026.

Sipas ligjit aktual, komunat janë të obliguara që deri më 30 shtator 2025 të miratojnë buxhetet në kuvendet komunale dhe t’i dorëzojnë në Ministri. Mirëpo, duke qenë se nga 13 shtatori nis fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale, AKK thekson se shumica e anëtarëve të kuvendeve komunale do të jenë të angazhuar në fushatë, gjë që e vështirëson procesin.

AKK konsideron më funksionale që miratimi i buxheteve të bëhet pas konstituimit të kuvendeve të reja komunale, në mënyrë që ato të reflektojnë prioritetet e kryetarëve të sapozgjedhur dhe programet e tyre qeverisëse, si dhe të sigurohet një proces më transparent e gjithëpërfshirës.

Për këtë arsye, Bordi i AKK-së i ka kërkuar ministrit Murati të marrë vendim për shtyrjen e afatit ligjor, duke mundësuar që buxhetet për vitin 2026 të miratohen nga institucionet e dala nga zgjedhjet e ardhshme lokale.