Ahmeti në Shkup: Drejtësi për çlirimtarët dhe pafajësi për ish-krerët e UÇK-së
Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Shkup për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Protestës i është bashkuar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe ka kontribuar jo vetëm në lirinë e shqiptarëve, por edhe në stabilitetin e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë fjalimit të tij, Ahmeti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe NATO-s, duke deklaruar se procesi gjyqësor në Hagë duhet të përfundojë me pafajësi. Ai ka theksuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk kanë kryer krime dhe se akuzat ndaj tyre janë të pabazuara, duke shtuar se kërkesa për drejtësi synon mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së dhe të shtetit të pavarur të Kosovës.











