Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit është themel i paqes dhe stabilitetit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në konventën promovuese të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), deklaroi se Marrëveshja e Ohrit mbetet dokument kyç për paqen dhe stabilitetin në Maqedoninë e Veriut dhe duhet të respektohet nga të gjitha forcat politike.
Ai tha se gjatë dy dekadave të fundit, në bashkëpunim me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, është punuar për zbatimin e saj, duke theksuar se shqiptarët janë të bashkuar për mbrojtjen e të arriturave dhe për garantimin e stabilitetit e integrimit euroatlantik të vendit.
Duke komentuar zhvillimet e fundit, Ahmeti akuzoi opozitën për tentativa që, sipas tij, rrezikojnë të drejtat e shqiptarëve dhe nxisin tensione ndëretnike.
“Ne duam paqe, stabilitet, ardhmëri, duam Europën dhe NATO-n”, u shpreh ai, duke shtuar se ky përcaktim ka bërë që shqiptarët të jenë të bashkuar.
Ahmeti gjithashtu bëri apel për pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhjet e 19 tetorit, duke theksuar se uniteti i shqiptarëve është vendimtar për të ardhmen politike të vendit.











