Agim Musliu: Gjykata Speciale u ngjiz me idenë ruse – është kurth ndaj Kosovës dhe Perëndimit
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Gjykata Speciale në Hagë, e cila po gjykon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një produkt i një iniciative ruse të nisur në vitin 2008 nga deputeti rus Konstantin Kosachev.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se Rusia dhe Serbia kanë bashkëpunuar për vite me radhë në përpjekjet për të minuar çdo iniciativë evropiane dhe perëndimore, ndërsa Perëndimi ka zgjedhur t’u përgjigjet atyre me argumente.
“Sidoqoftë, as Rusia e as Serbia nuk mund të luftohen me argumente, sepse ato janë falsifikatore të argumenteve. Ato mposhten me përkushtimin që treguan si Zelenski, ashtu edhe UÇK-ja”, ka shkruar ai.
Musliu ka akuzuar Rusinë dhe Serbinë se kanë krijuar një kurth ndaj Kosovës dhe Perëndimit, duke nisur me raportin e Kosachev-it, i cili më pas u shndërrua në raportin e Dick Marty-t, e që çoi drejt themelimit të Gjykatës Speciale.
Sipas tij, kjo gjykatë nuk është vetëm padrejtësi ndaj çlirimtarëve, por edhe pasojë e një skenari të organizuar për të diskredituar luftën çlirimtare dhe përpjekjet për shtetndërtim në Kosovë.











