#Botë

Administrata Trump pritet të djegë 500 ton ushqime të destinuara për ndihma – mund të ushqenin 1.5 milionë fëmijë

Rreth 500 ton biskota, të blera nga USAID për 800 mijë dollarë dhe të destinuara për fëmijët në Afganistan dhe Pakistan, pritet të digjen pas muajsh mosveprimi nga administrata Trump.

Biskotat janë ruajtur në Dubai që nga koha e administratës së presidentit Joe Biden, por me ngrirjen e përgjithshme të ndihmës së huaj dhe ndryshimet në strukturën e USAID-it, shpërndarja e tyre u bllokua.

Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të brendshme për rrezikun e humbjes së ndihmave, nuk u dha asnjë autorizim për lëvizjen e tyre. Në kohën kur Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi Kongresin se ndihmat do të dërgoheshin, urdhri për shkatërrimin tashmë ishte nënshkruar.

Shkatërrimi i këtyre ushqimeve do t’i kushtojë taksapaguesve amerikanë edhe 130 mijë dollarë shtesë dhe do të zhdukë një sasi ndihmash që mund të ushqenin 1.5 milionë fëmijë për një javë.