#Lajme

Administrata Trump jep dritën jeshile për vazhdimin e Kompaktit të MCC për Kosovën

Pas një serie takimesh në Shtetet e Bashkuara, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Administrata e presidentit Donald Trump ka miratuar vazhdimin e programit të Kompaktit të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën.

Lajmi është konfirmuar nga Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, në komunikimet zyrtare me Presidenten Osmani. Ajo e cilësoi këtë si një zhvillim me rëndësi të veçantë për vendin, duke thënë se “kjo është një mbështetje me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Programi i Kompaktit të MCC-së pritet të sjellë investime strategjike në infrastrukturën energjetike të Kosovës, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve për energji të pastër, përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe forcimin e sigurisë energjetike.

Ky vendim, sipas Presidencës, reflekton edhe një herë partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një periudhë vendimtare për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e institucioneve të shtetit.