#Lajme

Abdixhiku: Nëse Vetëvendosje nuk e shfrytëzon të drejtën, ajo duhet t’i kalojë dikujt tjetër

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nëse partia fituese e zgjedhjeve nuk arrin ta konstituojë Kuvendin brenda 30 ditëve, atëherë e drejta për ta formuar shumicën duhet t’i kalojë një subjekti tjetër politik.

Sipas tij, kjo është një qasje logjike, ngjashëm me rastin e formimit të qeverisë. “Nëse i pari nuk e shfrytëzon të drejtën për 30 ditë, atëherë duhet t’i merret. Nuk mund të presim pafund. Le t’i hapet rruga dikujt tjetër për të formuar institucionet,” u shpreh ai.

Abdixhiku theksoi se vetëm përmes marrëveshjeve politike mund të krijohen institucionet. Ai kritikoi Vetëvendosjen se ka refuzuar të arrijë marrëveshje dhe ka nisur një proces jokushtetues të votimit, duke e humbur afatin kushtetues prej 30 ditësh.

“Tani i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë si të veprohet më tej. Ne vetëm po japim një mendim që mund të ndihmojë të dilet nga ky ngërç,” tha Abdixhiku.