Abdixhiku: Me zgjedhjen e Rashiqit, Kuvendi është funksional – rruga për formimin e Qeverisë u hap
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i pestë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues nga komuniteti serb.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se me këtë veprim vendi është kthyer në normalitet institucional dhe në afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.
“Sot, me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit, vendi ka Kuvend funksional dhe është rikthyer në afatet kushtetuese për themelimin e Qeverisë,” ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka vepruar si parti përgjegjëse duke ndihmuar në zhbllokimin e procesit dhe parandalimin e, siç tha, shkeljeve të reja kushtetuese nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes.
“Sot u zhbllokua procesi për krijimin e institucioneve të reja dhe u parandalua uzurpimi i institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese,” shtoi Abdixhiku.
Në fund të reagimit, ai u ka bërë thirrje partive në pushtet që të dëshmojnë shumicën parlamentare që pretendojnë se e kanë.
“Rruga për formimin e Qeverisë është tashmë e hapur. Për 177 ditë me radhë kanë thënë se i kanë votat – tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës,” përfundoi Abdixhiku.










