#Lajme

A do të ndodh sot marrëveshja PDK–NISMA? Pasditja vendimtare për listën e përbashkët

Sot pasdite mbyllet afati ligjor për një marrëveshje të mundshme mes Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga Bedri Hamza, dhe NISMËS Socialdemokrate të Fatmir Limajt, për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Orët në vijim konsiderohen vendimtare për arritjen ose jo të kësaj marrëveshjeje politike.

Sipas rregullave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, subjektet politike të certifikuara mund të tërhiqen nga gara më së largu dy ditë para hedhjes së shortit për renditjen në fletëvotim, që pritet të mbahet të hënën. Deklarata e Limajt se marrëveshja me PDK-në mund të arrihet “për një minutë” ka nxitur reagime të shumta brenda strukturave të PDK-së, përfshirë mbështetje nga figura të njohura si Sami Lushtaku, Ramiz Lladrovci, Ferid Idrizi dhe Artan Behrami, si dhe nga degët në Diasporë. Nëse vendimi merret sot, NISMA mund të tërhiqet nga gara për t’i hapur rrugë listës së përbashkët, në të kundërtën mundësia ligjore për bashkim mbyllet.