A do të na rëndojnë më tej faturat “dhomat e nxehta”? Çfarë fshihet pas kërkesës për 21% rritje të çmimit të energjisë
Shpresa se ky dimër do të kalonte pa një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike është zbehur shpejt. Furnizuesi KESCO i është drejtuar sërish Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) me kërkesë për rritje të tarifave, kësaj radhe në masën 21 për qind, duke shtuar edhe një tjetër kapitull në serinë e shtrenjtimit të energjisë gjatë viteve të fundit.
Kjo kërkesë vjen pas disa rritjeve të njëpasnjëshme të çmimeve gjatë mandatit të qeverisë Kurti II, duke nxitur reagime të forta në opinionin publik dhe debate për shkaqet reale të krizës energjetike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka sugjeruar se një pjesë e përgjegjësisë lidhet me shprehitë e konsumit të qytetarëve. Në një deklaratë që ka ngjallur polemika, ai ka theksuar se “temperaturat nëpër dhoma i kemi më të larta se sa është normalja”, duke lënë të kuptohet se konsumi i lartë po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove.
Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, fajëson varësinë e vazhdueshme nga importi i energjisë. E ftuar në emisionin T7, ajo deklaroi se sistemi energjetik i vendit është lënë në mëshirë të tregjeve të jashtme. Sipas saj, gjatë vitit 2025 Kosova ka importuar energji elektrike me një kosto mesatare mbi 700 mijë euro në ditë, pa dallim sezoni.
“Kemi importuar çdo ditë, në çdo stinë. Kjo varësi e vazhdueshme ka prodhuar një efekt zinxhir në rritjen e çmimeve”, u shpreh Ymeri. Ajo shtoi se përveç KESCO-s dhe KEDS-it, të cilët operojnë me fitim të kontrolluar, përgjegjësi mbajnë edhe institucionet rregullatore, përfshirë ZRRE-në dhe KOSTT-in, i cili po kërkon të hyra shtesë për shkak të kostove teknike nga rritja e importit.
Profesori Adem Qorolli e sheh kërkesën e re për rritje si një përsëritje të skenarëve të viteve 2021–2022. Sipas tij, rritja e pagës minimale po përdoret si justifikim për tarifa më të larta, ndërkohë që fitimet e operatorëve mbeten të paprekura. Ai theksoi se në një treg ku fitimet vjetore kapin mbi 40 milionë euro, barra po i transferohet sërish qytetarëve.
Qorolli përmendi tri arsyet kryesore mbi të cilat, sipas tij, bazohet kërkesa e KESCO-s: rritja e pagës minimale, humbjet teknike në rrjet që nuk po mbulohen dhe çështja e faturimit të energjisë në veri të Mitrovicës.
Megjithatë, profesori parashikon se kërkesa për rritje 21 për qind nuk do të aprovohet në tërësi dhe se ajo mund të shfrytëzohet për manovra politike. Sipas tij, qeveria mund të lejojë vetëm një rritje minimale për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat-orë, duke u paraqitur më pas si mbrojtëse e interesit qytetar.
“Kjo do t’i mundësonte kryeministrit të dalë si ‘shpëtimtar’, pas katër rritjeve të mëparshme, ndërkohë që realisht barra më e madhe do të bie mbi konsumatorët me konsum të lartë”, tha Qorolli.
Vendimi përfundimtar i ZRRE-së pritet me interes të madh, ndërsa qytetarët mbeten të shqetësuar për një tjetër goditje në buxhetin familjar.









