Mbappé: “Fishkëllimat duhet të ishin për të gjithë ekipin, jo për një lojtar”
Kylian Mbappé ishte lojtari i zgjedhur nga Real Madridi për të folur para mediave, në prag të ndeshjes së Champions League ndaj Monacos, skuadrës ku ai shpërtheu si futbollist. Sulmuesi francez nisi konferencën me një mesazh ngushëllimi për viktimat e aksidentit hekurudhor në Kordoba, duke theksuar se “ka gjëra më të rëndësishme se futbolli”.
Duke folur për kundërshtarin, Mbappé tha se Monaco është një ekip që, edhe pse nuk po kalon momentin më të mirë, di të konkurrojë në nivele të larta. Ai vlerësoi rëndësinë e ndeshjes dhe atmosferën e Champions-it në “Santiago Bernabéu”, të cilën e cilësoi si avantazh për Realin.
Sa i përket fishkëllimave të tifozëve në ndeshjet e fundit, francezi u shpreh se i kupton reagimet, por nuk i sheh si të drejta kur drejtohen ndaj një lojtari të vetëm. “Nëse ka fishkëllima, ato duhet të jenë për të gjithë skuadrën. Humbjet janë përgjegjësi kolektive”, tha Mbappé, duke mbrojtur veçanërisht Vinicius Jr.
Ai theksoi se Vinicius është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe një njeri i rëndësishëm për ekipin, që duhet mbrojtur dhe mbështetur. “Kur është i lumtur dhe në formën e tij më të mirë, ai është ndër më të mirët në botë”, shtoi Mbappé.
Mbappé foli edhe për situatën e ekipit pas humbjeve të fundit, duke pranuar se periudha nuk ka qenë e lehtë, por theksoi se Reali duhet të tregojë personalitet dhe të luftojë deri në fund. Ai u ndal edhe te largimi i Xabi Alonsos, duke thënë se ishte një vendim i klubit që duhet respektuar dhe se tani skuadra do të mbështesë trajnerin e ri, Arbeloa.
Në fund, francezi shprehu respektin dhe mirënjohjen për Monacon, klubin që i dha mundësinë të rritej si futbollist dhe si njeri, duke theksuar se pa ta nuk do të kishte arritur aty ku është sot.










