#Lajme

Rinumërimi drejt fundit, shtohen parregullsitë në fletëvotime

Procesi i rinumërimit ka përfunduar në gati gjysmën e vendvotimeve të përfshira, ndërsa po rritet numri i fletëvotimeve me gabime. Rinumërimi i rreth një të tretës së vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit ka nisur më 13 janar, pas mospërputhjeve të vërejtura në votat për kandidatët brenda partive.

Sipas KQZ-së, procesi ka përfunduar në 19 komuna dhe aktualisht po vazhdon në Prizren, ku janë rinumëruar 172 nga 235 vendvotime dhe ku është shënuar numri më i madh i parregullsive.

Eugen Cakolli nga KDI ka bërë të ditur se ndryshimet në vota për kandidatë arrijnë rreth 15 mijë, me luhatjet më të mëdha në listën e PDK-së. Ai ka theksuar se manipulimet dyshohet të ndodhin gjatë leximit të votave për kandidatë në qendrat komunale të numërimit.

Sipas organizatës Çohu, raste të tilla janë përsëritur edhe në proceset e kaluara zgjedhore, ndërsa dënimet për manipulime zakonisht janë të lehta. Rinumërimi mund të vonojë formimin e institucioneve të reja, ndërsa KQZ ka paralajmëruar se çdo rast i dyshuar do të dërgohet në organet kompetente.