Rinumërimi në Prizren zbulon devijime të mëdha të votave, preken kandidatë nga disa komuna
Procesi i rinumërimit të votave në Prizren ka nxjerrë në pah parregullsi serioze gjatë numërimit fillestar, duke evidentuar devijime të mëdha të votës brenda partive. Sipas të dhënave, abuzimet më të theksuara janë konstatuar te kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila udhëheq këtë komunë.
Pas rinumërimit të rreth gjysmës së kutive të votimit, rezulton se kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi, ka përfituar numrin më të madh të votave të paraqitura gabimisht. Nga 7,550 vota të rinumëruara për PDK-në në Prizren, 3,369 vota rezultojnë t’i jenë atribuuar në mënyrë të pasaktë këtij kandidati.
Parregullsi janë evidentuar edhe te kandidatë të tjerë të PDK-së, përfshirë Nait Hasanin, Kujtim Gashin, Arianit Çollakun, Luljeta Veselaj Gutajn, Enver Hoxhajn, Fadil Demakun dhe Xhavit Halitin, të cilëve u janë regjistruar qindra vota më shumë se rezultati real.
Pas PDK-së, devijime të konsiderueshme janë konstatuar edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës, ku nga votat e rinumëruara rezulton se Xhavit Uka dhe Driton Selmanaj kanë përfituar numrin më të madh të votave të pasakta. Edhe te Lëvizja Vetëvendosje janë evidentuar dallime, megjithëse në përmasa më të vogla, me devijime te kandidatët Dafina Alishani dhe Arbër Rexhaj.
Rinumërimi ka zbuluar gjithashtu edhe kandidatë që janë dëmtuar nga këto parregullsi. Në nivel vendi, shumica e kandidatëve më të prekur nga humbja e votave i përkasin PDK-së, ndërsa një rast është nga LDK-ja. Viktima më e madhe e konstatuar deri më tani është nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, të cilit nuk i janë numëruar qindra vota.










