Chelsea synon mbrojtësin e Rennes, gati oferta 50 milionë euro për Jeremy Jacquet
Chelsea ka nisur bisedime të drejtpërdrejta me Rennes për transferimin e mundshëm të qendërmbrojtësit 20-vjeçar, Jeremy Jacquet, gjatë afatit kalimtar të janarit. Klubi londinez është i vendosur të përforcojë repartin defensiv dhe pritet të paraqesë ofertën e parë zyrtare brenda ditëve në vijim.
Mbrojtësi i ri francez ka spikatur me paraqitjet e tij këtë sezon në Ligue 1, duke tërhequr vëmendjen e disa gjigantëve evropianë si Bayern Munich, Manchester United dhe Liverpool. Megjithatë, Chelsea duket se ka bërë hapa konkretë dhe është aktualisht më i avancuari në negociata.
Sipas gazetarit Fabrice Hawkins, “Blutë” janë të gatshme të ofrojnë rreth 50 milionë euro për Jacquet, ndonëse mbetet për t’u parë nëse kjo shifër përputhet me vlerësimin që Rennes i ka vendosur lojtarit, i cili konsiderohet një element kyç i mbrojtjes së skuadrës franceze.
Jacquet ka zhvilluar 17 ndeshje këtë sezon me Rennes dhe është pjesë e rregullt e përfaqësueseve të Francës nga U-17 deri te U-21. Një transferim i suksesshëm do t’i jepte trajnerit Liam Rosenior një përforcim të rëndësishëm dhe me potencial të madh në qendër të mbrojtjes, veçanërisht në një periudhë kur Chelsea po përballet me mungesa për shkak të rikuperimit afatgjatë të Levi Colwill.











