Trump: Vendosa vetë të mos sulmoj Iranin, pas anulimit të ekzekutimeve të planifikuara
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se vendimi për të mos ndërmarrë sulme ushtarake kundër Iranit ishte i tij dhe nuk erdhi si pasojë e presionit nga palë të treta. Ai tha se ky qëndrim u ndikua ndjeshëm nga anulimi i pretenduar i qindra ekzekutimeve të planifikuara nga autoritetet iraniane.
Duke folur më 16 janar para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump mohoi se ishte bindur nga zyrtarë arabë apo izraelitë për të tërhequr kërcënimet ushtarake. “Askush nuk më bindi. E binda veten. Kishin planifikuar mbi 800 varje dhe nuk u krye asnjë. I anuluan dhe kjo pati një ndikim të madh”, u shpreh ai.
Më herët, Trump kishte paralajmëruar se SHBA-ja ishte e gatshme të vepronte nëse forcat iraniane do të vrisnin protestues, duke kërcënuar me masa “shumë të forta” në rast të ekzekutimeve. Po atë ditë, ai falënderoi publikisht udhëheqjen iraniane përmes rrjetit Truth Social, duke vlerësuar anulimin e ekzekutimeve të planifikuara.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një kohë kur mediat amerikane raportuan se disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite, Omanin dhe Egjiptin, i kishin kërkuar Uashingtonit të shmangte një sulm ndaj Iranit, duke paralajmëruar rrezikun e një përshkallëzimi rajonal. Sipas raportimeve, edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Trumpin më 15 janar, duke kërkuar shtyrjen e çdo veprimi të mundshëm ushtarak.
Situata lidhet me valën e protestave masive në Iran, të nisura më 28 dhjetor 2025 për shkak të krizës së rëndë ekonomike, të cilat u shndërruan në sfida të hapura ndaj regjimit. Organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë mijëra viktima nga përplasjet me forcat e sigurisë, ndërsa numri real besohet të jetë më i lartë për shkak të ndërprerjes së internetit në vend.
Autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht planet për ekzekutime masive, ndërsa pretendimet e Shtëpisë së Bardhë mbeten të paverifikuara. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se të gjitha opsionet ndaj Iranit vazhdojnë të jenë “në tryezë”.










