Avokati i familjes Bunjaku: Do të kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit e sulmit në Banjskë
Avokati i familjes së policit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, ka deklaruar se ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë do të kërkohet dënim me burgim të përjetshëm, duke theksuar se ekzistojnë prova të shumta që i ngarkojnë ata për veprën penale.
Duke folur në emisionin “FIVE”, Koci tha se mbrojtja e të akuzuarve po përpiqet ta relativizojë gjithë ngjarjen përmes zvarritjes së procedurës dhe tentativave për të ndërtuar alibi. Ai theksoi se ndryshimi i trupit gjykues ka sjellë vonesa, por ka vlerësuar pozitivisht qasjen e kryetarit aktual të trupit gjykues për të ruajtur dinamikën e procesit.
Sipas tij, familja Bunjaku insiston që gjykimi të përfundojë sa më shpejt, por pa u cenuar drejtësia, duke mos lejuar që të akuzuarit të pretendojnë shkelje të të drejtave për shkak të zvarritjeve procedurale.
Koci bëri të ditur se në seancën e parë të gjykimit, mbrojtja e njërit nga të akuzuarit ka propozuar dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të rinj, në përpjekje për të krijuar alibi se i pandehuri nuk ka qenë në vendin e ngjarjes. Ai theksoi se aktakuza është e qartë dhe e bazuar në shumë prova, përfshirë pamje ajrore që, sipas tij, dokumentojnë qartë sulmin.
Në fund, Koci ritheksoi se familja e policit të vrarë kërkon përmbylljen sa më të shpejtë të rastit dhe se, për shkak të peshës së krimit dhe provave ekzistuese, do të kërkohet dënimi maksimal – burgim i përjetshëm për të akuzuarit.










