#Lajme

IPK hedh poshtë pretendimet për keqtrajtim në Leposaviq, ankuesi nën hetim për kallëzim të rremë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka përfunduar hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq, duke konstatuar se ankesat e paraqitura nuk janë të bazuara. Si rezultat, ndaj ankuesit është iniciuar rast dhe hetim penal nën dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Rasti ishte raportuar para mesnatës së 13 janarit 2026, kur IPK ishte njoftuar nga Policia e Kosovës për një person që pretendonte se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë gjatë një ndalese në pikë kontrolli, pranë Urës së Bistricës në Leposaviq, rreth orës 22:00.

Sipas deklarimeve fillestare, ankuesi kishte pohuar se ishte ndaluar nga policia teksa drejtonte një automjet Audi A4 me targa të Serbisë, në të cilin ndodheshin edhe dy pasagjerë. Ai kishte pretenduar se gjatë kontrollit ishte goditur dhe keqtrajtuar nga zyrtarët policorë, duke pësuar lëndime në qafë, bërryl, dorë dhe këmbë, për çka kishte kërkuar edhe trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Veriut. Po ashtu, kishte deklaruar se një nga policët kishte goditur një nga pasagjerët me kondak të armës.

Pas pranimit të informacionit, hetuesit e IPK-së, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore. Ankuesi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, në praninë e avokatit të tij, ndërsa janë siguruar edhe prova materiale, përfshirë video-incizime nga kamerat e sigurisë në vendin e ngjarjes.

Nga analiza e provave dhe pamjeve filmike, IPK ka konstatuar se pretendimet e ankuesit nuk përputhen me faktet e regjistruara dhe se zyrtarët policorë nuk kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe as kanë përdorur forcë.

Sipas IPK-së, hetimet kanë treguar se deklarimet e ankuesit kanë qenë të sajuara. Gjetjet i janë paraqitur prokurorit kompetent, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale ndaj ankuesit, tani të dyshuar, për kallëzim të rremë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *