Specialja vazhdon paraburgimin për Veselin, Selimin dhe Krasniqin
Trupi gjykues i Gjykatës Speciale ka vendosur të vazhdojë masën e paraburgimit ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në kuadër të rastit “Thaçi dhe të tjerët”.
Sipas vendimit, gjykata vlerëson se ende ekzistojnë rreziqe reale që të akuzuarit mund të pengojnë zhvillimin normal të procesit gjyqësor ose të kryejnë vepra të tjera penale, çka e bën të nevojshëm vazhdimin e paraburgimit.
Në vendimin e rishikimit të masës, të datës 16 janar 2026, Trupi Gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për tre të akuzuarit, duke theksuar se kjo masë është e domosdoshme për të garantuar mbarëvajtjen dhe integritetin e procedurës gjyqësore.
Ndërkohë, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se vendimi i fundit për rishikimin e paraburgimit të Hashim Thaçit është marrë në dhjetor 2025, ndërsa rishikimi i radhës për të pritet të mbahet në shkurt 2026.










