Sot vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”
Sot pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin e njohur si “Banjska”, sipas orarit të përcaktuar më herët nga gjykata.
Deri tani, procedura penale është veçuar vetëm për tre të akuzuarit që ndodhen në paraburgim: Bagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç. Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj tyre është mbajtur më 17 prill 2025, ku të tre janë deklaruar të pafajshëm, ashtu si edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024.
Në seancën e prillit, fjalët hyrëse janë dhënë nga prokurori special, mbrojtja dhe pala e dëmtuar.
Aktakuza për këtë rast është ngritur më 11 shtator 2024 dhe lidhet me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohen se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë atë me Serbinë.
Si pasojë e sulmit, është vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa janë rrezikuar edhe jetët e zyrtarëve të tjerë policorë dhe të qytetarëve civilë.










