Haziri: Përvojat e kaluara me VV-në dhe PDK-në e pamundësuan një bashkëpunim të ri
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se përvojat e kaluara të LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës kanë ndikuar drejtpërdrejt në mungesën e një bashkëpunimi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Duke folur në emisionin Debat Plus, Haziri tha se zgjedhjet nuk sollën krijimin e një qeverie të re, çka e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme më 28 dhjetor. Ai rikujtoi se zgjedhjet e dhjetorit përfunduan me fitore historike për LVV-në e udhëhequr nga Albin Kurti, ndërsa LDK-ja u rendit e treta me rreth 13 për qind të votave.
Sipas Hazirit, pavarësisht kritikave për qasjen politike të LDK-së gjatë vitit 2025, vendimi për të mos hyrë në bashkëpunim të ri ishte i bazuar në përvojat e mëhershme. Ai theksoi se bashkëpunimi me VV-në, si në opozitë ashtu edhe në qeveri, kishte dështuar, duke përfunduar me mocion mosbesimi dhe me shkarkimin e njëanshëm të kryeministrit të asaj kohe.
“Këto përvoja nuk të japin të drejtë të dalësh para qytetarëve me një situatë tjetër”, u shpreh Haziri, duke nënvizuar se e kaluara politike ka qenë përcaktuese në qëndrimin e LDK-së ndaj bashkëpunimeve të reja.










