Walker: Mediat kanë rol kyç në informimin e të rinjve për historinë e vitit 1999
Ambasadori dhe miku i Kosovës, William Walker, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike te brezat e rinj, gjatë paraqitjes së tij si mysafir special në emisionin Politiko.
Walker tha se një pjesë e madhe e popullsisë së Kosovës, rreth 30 deri në 50 për qind, është nën moshën 25-vjeçare dhe për këtë arsye nuk ka përjetuar dhe as nuk mund ta njohë drejtpërdrejt periudhën e vitit 1999 dhe ngjarjet para saj.
Sipas tij, mediat dhe gazetarët kanë përgjegjësi të veçantë që vazhdimisht të flasin për këto tema, në mënyrë që e vërteta historike të përcillet te gjeneratat e reja.
“Jo duke më ftuar mua, por duke folur vazhdimisht, për të siguruar që të rinjtë e Kosovës ta kuptojnë dhe ta përfaqësojnë atë që Kosova përfaqëson sot”, u shpreh Walker.
Ai vlerësoi rëndësinë e diskutimit të vazhdueshëm për këto çështje dhe falënderoi emisionin për ftesën dhe mundësinë për të kontribuar në këtë debat.










