#Lajme

Hoti kërkon dorëheqjen e Abdixhikut pas humbjes së LDK-së

Ish-kryeministri dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim brenda partisë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, duke kërkuar dorëheqjen e Kryetarit Lumir Abdixhiku.

Hoti ka theksuar se statuti i LDK-së është i qartë: në rast dorëheqjeje të Kryetarit, Kuvendi i partisë thirret për t’u informuar dhe më pas zgjedh kryetarin e ri, siç kishte ndodhur edhe në vitin 2021. Ai paralajmëroi se çdo devijim nga kjo procedurë përbën tentativë për të relativizuar përgjegjësinë politike të lidershipit.

Ish-kryeministri tha se pas humbjes së thellë zgjedhore, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri dhe një riorganizim gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet, në mënyrë transparente dhe statutar. Ai shtoi se nëse lidershipi nuk merr përgjegjësi, do të japë dorëheqjen nga organet drejtuese të partisë, duke e quajtur këtë një akt politik parimor dhe jo emocional.

Hoti theksoi se potenciali politik, njerëzor dhe programor i LDK-së duhet të vihet në shërbim të qytetarëve dhe shtetit përmes reformimit të thellë dhe transparent, duke bërë thirrje që të gjithë anëtarët e Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të kontribuojnë në zgjedhjen e lidershipit të ri.